Pa Gjurmë- “Jeta s’ka kuptim për mua”/ Rrëfimi i trishtë i një nëne me dy fëmijët e sëmurë

  • 4 years ago
E gjendur në kushte të vështira ekonomike dhe me dy fëmijë të sëmurë, familjes Plaku nga Fshati Balëz i sipërm i Elbasanit i duhet që të përballojë të gjitha shpenzimet duke pasur si burim të ardhurash vetëm dy kempet e përfituara. Fëmija i madh i kësaj familje, Ismaili është 7 vjeç dhe vuan nga atrofi cerebrale, ndërsa i vogli 3 vjeç, Eliseo është me sindromën down dhe me epilepsi. Teksa fëmija i madh po shfaqte disa simptoma ku nuk ndiqte me sy, prindërit vendosën ta vizitojnë duke ja bërë të gjitha vizitat e mundshme në Shqipëri, me kursimet e mbledhura nga puna e kryefamiljarit, i cili asokohe ishte emigrant në Greqi. Për një mjekim më të specializuar djalin e madh e kanë dërguar edhe në Itali ku pas shumë vizitash, mjeket nuk i kanë dhënë shpresë për shërim. Para 3 vitesh vjen në jetë gëzimi i familjes, djali i dytë, por si të mos mjaftonin të gjitha vuajtjet me djalin e parë, prindërit kuptuan që djali i dytë ishte me sidromën down. Aktualisht kryefamiljari, Blerimi është i papunë dhe të gjitha shpenzimet mbulohen nga kempet e përfituara nga dy fëmijët e sëmurë. Djana, nëna e fëmijëve e gjendur në një situatë të vështirë apelon për ndihmë pasi djali i vogël ka nevojë për të shkruar ne qendrën e fëmijëve me sindromën down, por duke qenë se kjo qendër ndodhet në Tiranë, e kanë të pamundur ta dërgojnë atë, pasi rruga dhe ilacet kanë shumë shpenzime, të cilat nuk i përballojnë dot.