Largimi nga hotelet, edhe Durrësi shtyn afatin, Banorët: Të na gjejnë zgjidhje ose të na djegin
  • 4 years ago
Sot më 3 janar, pushteti lokal dhe qendror kishin vendosur si afatin kur banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe që më pas u strehuan në hotele duhet të dilnin në shtëpitë me qira, subvencionin e të cilave do ta paguajë shteti deri kur të ndërtohen shtëpitë e reja, që u shembën. Por duke parë situatën e krijuar, teksa disa prej banorëve që janë prekur nuk kanë marrë ende bonusin e qirasë, bashkia e Durrësit ka shtyrë vendimin e largimit të banorëve nga hotelet, por vetëm për disa kategori.

Bashkia e Durrësit sqaroi për Report Tv se 480 familjet që kanë qenë në banesa me qira kur ra tërmeti i 26 nëntorit, duhet të dalin nga hotelet që janë vendosur dhe ku kaluan festat e fundvitit. Gjithashtu, po sipas bashkisë edhe 25 familje që aktualisht janë në hotel, por që kanë përfituar bonusin duhet të largohen për të gjetur banesat me qira. Ndërkohë që familjet që u është shembur shtëpia apo është bërë e pabanueshme, por që janë në proces të marrjes së bonusit të qirasë do të vijojnë që të qëndrojnë në hotelet e Durrësit deri në një urdhër të dytë.Report Tv ishte sot në qytetin bregdetar në një prej hoteleve që janë strehuar familjet e prekura. Në prononcimet për Report Tv, qytetarët shprehen se kanë dy probleme; e para që nuk gjejnë dot shtëpi me qira, teksa çmimet për një dhomë dhe një kuzhinë kanë arritur deri në 350 euro dhe pronarët nuk pranojnë të firmosin kontratë për shkak të frikës se duhet të paguajnë 15% në shtet, dhe shqetësimi tjetër lidhet nivelin e bonusit të qirasë, që sipas tyre është shumë i vogël dhe burokracitë nga bashkia e Durrësit.

Njëra prej banoreve që i është shembur shtëpia i tha Report Tv se nëse nuk do të shtyhet vendimi i largimit nga hoteli do të dalë në protestë nesër, por tashmë bashkia deklaroi se ata që ende nuk kanë marrë bonusin do të vijojnë të qëndrojnë këto struktura. Ndërkohë që qytetarët që përpara se të godiste tërmeti tragjik kanë qenë në shtëpi me qira dhe tashmë u është kërkuar që të largohen, i bëjnë apel shtetit që të ndërhyjë për të mos bërë diferencime se nuk kanë ku të shkojnë, aq më tepër tani që qiratë janë rritur.