Të hënën 472 shërbime kalojnë online, Rama: Sportelet nuk do të mbyllen menjëherë
  • 4 years ago
TIRANE-Ditën e hënë në datë 6 janar do të nisë kalimi në online i një pjese të shërbimeve. Saktësisht janë 472 aplikime për shërbime që deri tani krijonin radhë nëpër sportele, ndërsa tani do të bëhet online, përmes smartfonit apo kompjuterit. Kryeministri Rama ditën e sotme priti në zyrën e tij drejtoreshën e AKSHI-t, Linda Karcanaj dhe disa nga specialistët, ndërsa përmes shembujve tregoi se si mund të bëhet aplikimi për dokumente përmes faqes e-Albania.

Por pavarësisht se të hënën do të nisin shërbimet online, sportelet nuk do të mbyllen menjëherë. "Në periudhën e parë, muajin e parë dhe të dytë, personat do të asistojnë sportelet. Nuk do të jetë direkt bam bam mbyllja e sportelit, që të bëhet azhornimi, si dikur biletat elektronike në aeroporte. Sot e kemi lënë pushim si ditë e ndërmjetme për ata që do të donin të pushonin pak më gjatë, edhe kështu fillojmë direkt në datën 6 janar, që është fillimi i revolucionit kundër radhëve dhe ryshfetit.

Blloku i parë është ky, i dyti në qershor, ndërsa deri në fund të 2020, 90% e shërbimeve do të jenë online. Për shqiptarët jashtë nuk do të kenë më nevojë të vijnë për pushimet dhe të qëndrojnë në radhë. Janë vetëm një numër i vogël shërbimesh që kanë nevojë ta kenë personin aty" tha ai. Por me të moshuarit si do të veprohet? "Si në rastin e platformës së bashkëqeverisjes, ose duke shkuar në një pikë shërbimi, ose duke i kërkuar ndihmë djalit, vajzës, nipit apo fqinjit" tha ai.

Linda Karcanaj, drejtoresha te AKSHI-it, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u shpreh se punonjësit pas trajnimit janë gati për ditën e hënë. "Nuk kemi risqe, e-Albania është platformë e konsoliduar, institucionet janë gati, punonjësit janë të trajnuar. Trajnimet vijojnë dhe do të vijojnë për të ndihmuar qytetarët" tha ai.