Urdhër për hetim administrativ helikopterit - News, Lajme - Vizion Plus

  • 8 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli urdhëroi hetim administrativ për ngjarjen e rëndë të rrëzimit të helikopterit të forcave të armatosura, ku humbën jetën dy pilotë e u plagos një ushtarak. Të gjitha informacionet që do të dalin nga ky hetim administrativ do t?i vihen në dispozicion Prokurorisë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Menjëherë pas ngjarjes me urdhër të Shefit të Shtabit gjeneral major Jeronim Bazo, është ngritur një grup pune, i cili është vënë në dispozicion të prokurorisë me qëllim koordinimin e të gjithë veprimeve, si dhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit dhe provave materiale që do ndihmojnë në hetimin penal. Për të ndihmuar procesin e investigimit, Ministria e Mbrojtjes ka thirrur ekspertë të kompanisë prodhuese të helikopterit EC 145, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri. Nga ana tjetër pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA-ve kanë mbërritur edhe ushtarakë amerikanë me ekspertizë të specializuar për këtë lloj helikopteri. Prej tre ditësh helikopteri ushtarak vijon të qëndrojë në ujërat e liqenit të Shkodrës, ndërkohë që grupet e hetuesve kanë mundur të nxjerrin vetëm pjesë të mjetit fluturues. Tashmë pritet nxjerrja e kabinës me qëllim ekspertimin e grupit të komandimit dhe kutisë e zezë, të cilat do të përcaktojnë dhe shkakun e vërtetë të rrëzimit të helikopterit.

Recommended