Korçë, mijëra ton molle mbeten stok - News, Lajme - Vizion Plus

  • 8 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Këto janë pamje që ndeshen shpesh në fshatin Dvoran të Korçës ku mollët e pashitura të cilësisë së parë jo vetëm kanë mbushur 11 frigoriferët e zonës, por një pjesë e tyre është kalbur dhe është hedhur si për të treguar fatin e keq të prodhimit të fundit të kësaj kulture. Grumbulluesit e mollëve thonë se e gjithë kjo situatë vjen pasi molla që vjen nga vendet fqinje nuk e paguan çmimin e referencës çka ndikon në çmimin e mollës vendase. Çmimet më të lira të mollëve nga jashtë lidhen në fakt edhe me një sërë politikash mbështetëse dhe organizimesh kolektive të prodhuesve në Maqedoni, etj, praktikat të cilat nuk zbatohen në Shqipëri. Nga ana tjetër, prodhuesit dhe grumbulluesit e mollëve duket se nuk kanë qenë të vëmendshëm as ndaj prodhimeve të huaja, as ndaj ecurisë së tyre në treg, pasi mollët starkinge dhe gold, janë mbajtur për shumë kohë në frigorifer, për të pritur rritjen e çmimit të tyre. Por, mbetja e mollëve të pashitura ka sjellë edhe një tjetër problem social për te gjithë prodhuesit e njohur për kultivimin e kësaj kulture në fshatin e njohur për prodhimin e mollëve. I pyetur për gjendjen e krijuar nga mosshitja e mollëve në Korçë, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka propozuar që të hiqet dorë nga mollët tradicionale, për t'u orientuar p.sh tek mollët Fuxhi, një kultivar që është sipas tij është tepër i kërkuar në tregun e huaj. Mirëpo tregtarët sipas Pajtim Kumbellës pothuajse të gjithë sipërfaqet e tyre i kanë të mbjella me mollën tradicionale prej më shumë se 50 vitesh dhe futja e kultivarëve të rinj kërkon disa vite kohë. Ndërsa molla gold dhe ajo starkinge kanë qenë gjithnjë të preferuara, jo vetëm për tregun vendas, por edhe atë të huaj, orientimi drejt kultivarëve të rinj nuk dihet sesi do të pritet sidomos edhe në tregun vendas, që supozohet të jetë konsumatori më i madh i mollëve. 90 për qind e sipërfaqes prej 2200 hektarë në të gjithë qarkun e Korçës e zë molla Gold dhe Starking dhe vetëm 10 për qind të kësaj sipërfaqe është e mbjellë me kultivarë të tjerë. Vetëm në fshatin Dvoran çdo vit prodhohen më tepër se 55 mijë ton mollë, pjesa më e madhe e tyre, mollë tradicionale.

Recommended