Qeveri-Opozite për taksat - Vizion Plus - News - Lajme

  • 9 years ago
Kryeministri Sali Berisha gjate mbledhjes se qeverise është ndalur serish tek debate mes taksës progresive dhe asaj te sheshte. Duke iu referuar një studimi te kryer ne Harvard sipas te cilit taksa e sheshte është sot taksa me afër optimales, lideri i maxhorances Berisha ka sulmuar premtimin e rivalit politik Edi Rama për vendosjen e taksës progresive. "Unë e kuptoj që kjo e irriton zotin Rama e irriton shumë atë, por kjo është e vërteta dhe të vërtetat duhen pranuar. Ajo çka ky studim fakton është se një taksë është e rrezikshme dhe kjo është taksa Koleka apo taksa progresive. Sipas studimit, nëpërmjet kësaj takse, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi. Prandaj ky parim thotë duhet harruar. Ky zotëria nga një anë më tha që nuk e kam dajë unë atë, që e di gjithë bregu historinë e lepurit dhe të maces dhe spo ndalemi këtu se nuk është çështje e mbledhjes së qeverisë. Për mua më mirë ta kishte baba dhe ta mohonte për taksën, sesa të mbajë taksën dhe të hedhë Kolekën. Pra kjo taksë përbën një kërcënim serioz dhe të madh". Pas deklaratave te kryeministrit ka reaguar Partia Socialiste e cila ka paraqitur argumentet pro heqjes se taksës se sheshte. Sipas sekretarit për programin Ilir Beqja aplikimi i kësaj takse ka rritur pabarazinë prandaj e majta do te aplikoje taksen progresive. "Ne ju kemi treguar se vetëm 50 kompani midis 9500 që paguajnë tatim fitimi në vend, zotërojnë gjysmën e fitimit që realizohet në Shqipëri. Të dhënat më të fundit tregojnë se rreth 4% e të punësuarve të paguar me paga shumë të larta përfitojnë 40% të fondit të përgjithshëm të pagave që paguhen në Shqipëri. Ne nuk mund ta pranojmë këtë situatë. E vlerësojmë të padrejtë dhe jemi të vendosur ta ndryshojmë. Do të zëvendësojmë taksën e sheshtë me taksimin e ndershëm. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë taksa". Sipas Beqjes zhvillimin ekonomik nuk e pengon taksa e sheshtë apo ajo progresive, por korrupsioni dhe arbitrariteti i administratës fiskale.