Ekskluzive/ Rrëfimet e të afërmve të pacientëve te 'Shefqet Ndroqi': Mjekët u rrinë te koka

  • 3 years ago
TIRANË- Vetëvrasja e dy pacientëve në spitalin "Shefqet Ndroqi" nuk ka zbehur besimin e familjarëve për bluzat e bardha. Për ta, mjekët janë heronj dhe ngjarje të tilla nuk ua zbehin këtë "superfuqi"... Report Tv me gazetarin Arsen Rusta ka sjellë një panoramë të qartë të asaj që ofrohet në spitalin "Shefqet Ndroqi", pak orë pas ngjarjes që tronditi opinionin publik, ku një pacient u hodh nga kati i katërt. Përtej kangjellave të spitalit qëndrojnë familjarët, të cilët në respekt të orarit të caktuar nga spitali, sjellin ushqime apo veshmbathje, sipas kërkesave të vetë pacientit, ndërkohë, që dera kryesore është blinduar nga uniformat blu.

Një histori nuk i ngjan tjetrës, dikush ka babanë, dikush tjetër vëllanë, por ka edhe nga ata qytetarë që kanë më shumë se 1 familjarë të shtruar në spital. I tillë është rasti i një qytetari që për mikrofonin e Report Tv rrëfen se ka katër të afërm të shtruar.

"Kam shumë të shtruar, kam 4 familjarë. Janë këtu prej 2 javësh. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, sëmundja bën të veten. Flasim me ta në celular, por jo shumë se nuk duam t'i lodhim. Nuk e dimë se kur do dalim, se kjo sëmundje agravon nga momenti në moment. Kemi kontakt me mjekët, por jo herë pas herë se ato janë në detyrë. Nuk është problem ekonomikisht, ne fusin ndonjë gjë që nuk e ka spitali se shërbimi dhe ushqimi është shumë i mirë", rrëfen ai.

Të tjerë detyrohen që të bëjnë me orë të tëra rrugë, çdo ditë, për t'iu gjendur pranë familjarëve të tyre në këto momente të vështira. Ky është një qytetar që vjen nga qyteti i Shkodrës, të cilit i ka mbetur merak se përse nuk e ka sjellë në kohë të afërmin e tij për mjekim në spital. Për këtë, ai nuk nguron që t'iu bëjë apel të gjithë atyre që e dëgjojnë, që t'i drejtohen spitaleve sapo ndonjë i afërm i tij të shfaqë simptomat e COVID-it.

Recommended