Nga Kodi Penal, te ligjet e drejtësisë, koncesionet e Balldrenit dhe Orikumit/ 15 ligjet e miratuara
  • 5 years ago
TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë e mbylli këtë sesion parlamentar me 15 ligje të miratuara në seancën e sotme, ndërsa disa u shtynë për në shtator. Parlamenti miratoi me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal ku ashpërsohen dënimet për dhunën ndaj mjekëve, policëve, dhunën në sport, sigurinë ushqimore, por edhe të tjera, ndërsa u tërhoqën nga amendamenti i deputetit Ervin Bushati për krimet zgjedhore, pra ndalimin e daljes për 10 vite jashtë vendit të atyre që dënoheshin për krimet zgjedhore. Kaluan me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim ligjet e mbartura prej 2 vjetësh të reformës në drejtësi. Ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ai për organet e qeverisjes së drejtësisë.

Pikat e tjera të nxehta në rendin e ditës ishin koncesionet. Shumica vetëm me votat e saj miratoi kontratat për dy rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara, ndërsa kaloi edhe kufizimin e ri për PPP-të për rrugët pas kritikave të FMN-së. Ndryshimi në projektligj konsison te propozimet e pakërkuara për rrugët nacionale, heqjen e bonusit për këto propozime përfshi një kontroll më të madh në të gjitha fazat nga ministria e Financave. Kaloi gjithashtu edhe Rregullorja e Kuvendit, e dakordësuar me opozitën, por edhe projektligji me ndryshimet për asistencën sociale dhe duhanin.

Ndërsa për në sesionin e ri parlamentar në vjeshtë u shtynë; projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, propozimi i Presidentit për Petraq Milon në krye të KLSH-s si dhe ai i 28 deputetëve për shkarkimin e Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë.
Recommended