Basha i pergjigjet Rames: Jep doreheqjen
  • 5 years ago
Ftesave të përsëritura të Kryeministrit për dialog pa kushte, kreu i opozitës i ka kthyer përgjigje refuzuese. Përmes një letre që i drejtohet shqiptarëve, Basha i kujton Ramës kushtin e panegociueshëm.

"Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit".

Basha shkon më tej kur thotë se Rama duhet ta kishte dhene dorëheqjen kohë më parë kur në bashkëpunim me krimin vodhi zgjedhjet e 25 Qershorit, futi kriminelë e trafikantë në parlament dhe e shndërroi vendin në bazë të sigurtë të krimit të organizuar.

"Ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit. Kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë; kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që të ishte trafikant droge; kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë; kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant; kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës; Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE".

Zgjidhja thotë se duhet të burojë vetëm nga populli me votë. Këtij të fundit i kërkon largimin e Ramës, teksa me ta shprehet se tashmë ka nisur dialogun kombëtar gjithëpërfshirës që do të garantojë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Tv Klan
Recommended