Report TV -Arrest me burg për një nga të arrestuarit për grabitjen në Rinas

  • 5 years ago
Policia e Shtetit dhe prokuroria ka arritur të zbulojë autorët e dyshuar të grabitjes së 9 Prillit në Rinas falë dëshmisë së Alkond Bengasit, shokut dhe kushëririt të Klement Çalës, një nga të shpallurit në kërkim për grabitjen e fundit në aeroport dhe të tjera vite më parë.

Bengasi ka rrëfyer për hetuesit emrat e të përfshirëve në grabitjen e afro 5.7 milion eurove dhe mënyrën se si furgoni u modifikua në Elbasan 2 muaj para goditjes në pistën e aeroportit të Rinasit.

Me këtë rrëfim të marrë nga Bengasi ditën e premte kur ai është ndaluar në qytetin e Elbasanit, hetuesit kanë shkuar më pas tek të arrestuarit e tjerë Oltjon Veseli, Renaldo Sula dhe Saimri Çela.

Ndërsa ende nuk është gjetur asnjë cent nga shuma e vjedhur nën kërcënimin e armëve automatik, Bengasi rezulton se është zbuluar falë gjurmëve të gishtërinjve gjetur në furgonin me të cilin u krye grabitja me mbishkrimin "Hetimi Tatimor". Gjurmët e tij kanë mbetur gjatë periudhës që ai ka bërë modifikime në këtë automjet duke e përshtatur për grabitjen që do të kryhej më pas nga Admir Murataj dhe 4 të tjerët.

ReportTv ka siguruar pamjet kur Bengasi shoqërohet nga ambientet e Policisë së Tiranë për tek Krimet e Rënda, nën masa të larta sigurie.

Para gjykatës këtë të martë Bengasi ka heshtur ndërsa fillimisht ka refuzuar edhe mbrojtjen nga ish prokurori Adriatik Cami i zgjedhur si avokat për të nga familjarët.

Seanca për Bengasin ka vazhduar nën praninë e një avokati caktuar kryesisht ndërsa është vendosur arrest me burg deri në përfundim të hetimeve.

Pritet që të mërkurën në Gjykatë të dalin dhe 3 të arrestuarit pas dëshmisë së Bengasit. Ata janë ish komando dhe imami vetëshpallur Oltjon Veseli, Renaldo Sula dhe Saimir Çela.

Ndër tetë të kërkuarit e tjerë janë identifikuar 3 prej tyre ku rezulton se janë Klement Çala, vëllai i tij Eldi Çala dhe një ish efektiv policie, Mariglen Hoxha, nga po nga Elbasani.

Përsa u përket hetimeve, Krimet e Rënda kanë sekuestruar në qelitë e disa paraburgimeve dhe burgjeve në vend librat e takimeve me persona që ndodhen pas hekurave për të kuptuar nëse plani për këtë grabitje është ndërtuar edhe me ndihmën e të arrestuarve të tjerë po për grabitjet e Rinasit, ngjarje të ndodhura prej 2015.

Ky është rasti i dytë ku hetuesit mundin të zbardhin me bashkëpunëtor të drejtësisë grupin dhe grabitjet e realizuara me praninë e Admir Murataj, pasi edhe më herët ka qenë 3 bashkëpunëtor ata që rrëfyen se si kryheshin këto vjedhje dhe ku fshiheshin paratë.

Por ndryshe nga herët e tjera policia deri në këto momente nuk ka mundur të gjejë asnjë nga paratë e grabitura më 9 Prill në pistën e aeroportit të Rinasit.

Recommended