Laboratori i heroinës në Has, turku i shpallur në kërkim gjendet i vdekur në Kosovë, shkaqet mister

  • 5 years ago
KOSOVE - Turku i përfshirë në laboratorin e heroinës në Has, Nejdet Çesuroglu është gjendur i vdekur në Prishtinë në mënyrë misterioze. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Nejdet Çesuroglu është gjendur i vdekur më datë 2 dhjetor 2018 në një banesë në Kosovë. Ende nuk dihet nëse turku i kërkuar deri më tani është vrarë nga dikush, apo nëse ka ndërruar jetë për arsye shëndetësore. Në banesë, krahas gjetjes së trupit të pajetë të turkut, janë sekuestruar gjithashtu 113 kg heroinë. Në të njëjtat operacione Prokuroria e Krimeve të Rënda në vendin tonë është vënë në dijeni edhe për arrestimin e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim për laboratorin në Has, kosovari Xhemal Shalla dhe turku Iskander Sale.

Dy turqit mendohet se kishin rolin kyç në nxjerrjen e heroinës, pasi njëri prej tyre dyshohet se ishte kimist, ndërkohë që të tjerët siguronin bimën e Opiumit nga Afganistani.

Turku që ndodhet i arrestuar mendohet se është biznesmen tekstilesh dhe pikërisht nëpërmjet biznesit të tij kamuflohej sjellja e bimëve të opiumit në Shqipëri. Për zbulimin e laboratorit të Hasit, ku edhe u gjetën 200 kg heroinë, Policia ka arrestuar në muajin tetor 2018 pesë persona, dy prej të cilëve u liruan nga Gjykata pasi dyshohej se ishin punonjës. Ndërsa në kërkim u shpallën tre të tjerë, dy turq dhe një shqiptar, midis të cilëve njëri u gjet sot i vdekur dhe dy të tjerët u vendosën në pranga.

Recommended