Report TV - Dokumenti i KQZ: LSI s'justifikon burimin e parave për kontratat e fushatës
  • 6 years ago
Jo vetëm Partia Demokratike, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk justifikon me dokumentacion ligjor paratë e shpenzuara për konsulencë, lobim dhe sondazhe, me anë të kompanive amerikane, gjatë vitit 2017.

Nëse PD fshehu kontratat për lobim në SHBA me vlerë 675 mijë USD, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka deklaruar kontratat në KQZ, por nuk justifikon dot burimin e parave.

Konstatimi është bërë nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me anë të një relacioni, mbi rezultatin e verifikimit të financimit të fushatës zgjedhore të partive politike, të cilat morën pjesë në zgjedhjet për kuvendin të datës 25 qershor 2017. Në relacion thuhet se Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar një kontratë me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë.

Këtë shumë LSI nuk e justifikon me dokumentacion ligjor. Nga verifikimet, kompania MCKEON GROUP, në SHBA, ka si objekt lobimin dhe konsulencën. KQZ e ka konsideruar në kundërshtim me ligjin edhe një kontratë tjetër të LSI me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA, me vlerë 1,414,465 lekë plus tatim në burim në vlerën 429, 340 lekë. Kompania JPM Strategic Solution LLc USA, me qendër në Uashington, ka si objekt sondazhe për opinionin publik.

Në relacionin e KQZ thuhet gjithashtu se LSI ka pranuar dhurime për fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin.
Recommended