I akuzuari Sulejman Osmani: “Lagjja e Trimave” është inskenim i “mësitëve” të shtetit!?

  • 7 years ago
Sulejman Osmani, i akuzuar për luftimet në Lagjen e Trimave, i cili po gjykohet ndaras nga grupi tjetër, pohon se ngjarja është një inskenim i shtetit. Ai nuk tregoi emra konkret të funksionarëve të përfshirë, por i quajti si “mësit” ose persona që shkojnë ta kërkojnë një nuse prej familjes. Osmani shpjegoi gjithë kronologjinë e planit dhe realizimit të luftimeve por tha se asgjë nuk kishte shkuar sipas planit pasi u kishin thënë diçka tjetër dhe u kishte dalë diçka tjetër. Ideja për të ardhur në Maqedoni sipas Osmanit, kishte fillet që në vitin 2014 dhe që atëherë ishin bërë përgatitje dhe rekrutime për të ardhur në Maqedoni dhe për të dalë me kërkesa për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Sulejman Osmani tha se ai ka qenë pjesëmarrës në sulmin e kullës policore në Gushincë dhe se aty e kishin marrë armatimin me lehtësi dhe i kishin lidhur policët e tjerë me lehtësi pasi kishin patur ndihmën e njërit prej policëve që kishin qenë në roje atë natë.

Osmani kishte qenë përgjegjës për fshehjen e armatimit të vjedhur nga kulla por atë armatim grupi nuk kishte arritur ta përdorur, pasi plani kishte shkuar keq dhe pjesëtarët ishin armatosur që nga territori i Kosovës dhe kishin hyrë në Maqedoni, në Lagjen e Trimave.

SULEJMAN OSMANI, I AKUZUAR

“Filluam të dyshojmë se diçka nuk është në rregull dhe kërkova të shkojmë në Likovë e jo në Kumanovë, sepse Sadulla Duraku, kryetari i Likovës ishte mësit bashkë me disa të tjerë”, tha Osmani në gjykatë.

Osmani tha se persona nga Maqedonia i kishin pritur dhe transportuar me makinë të ndihmës së shpejtë si kamuflim, dhe u kishin premtuar se për ta janë organizuar 20 makina të mbushura me karburant, janë siguruar banesa, ushqim dhe pije, dhe i kanë siguruar se do të jenë nën mbrojtje vazhdimisht dhe se puna e tyre e vetme është që të veshin uniformat dhe të fotografohen, dhe ta dërgojnë një komunikatë me kërkesat për të drejtat e shqiptarëve.

SULEJMAN OSMANI, I AKUZUAR

“Begu dhe Mirsadi na thonin flini të qetë. Nuk ka nevojë për panikë, puna është e garantuar. Edhe kur nisën krismat, ata na thonin rrini të qetë se policia mund të vijë të bëjë ndonjë kontrollë por do të kthehen sërish”

Grupi kishte shkruar tashmë komunikatën me tre kërkesa kryesore por nuk kishte arritur ta përcjellë. Kërkohej zbatimi i MO-së dhe federalizimi i shtetit, zbardhja e rasteve të montuara politike dhe referendum për themelimin e Republikës Ilirida që sipas tyre do të mund të integrohej në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

KËRKESAT

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Federalizimi i shtetit

Zbardhja e rasteve të montura politike

Referendum për Themelimin e Republikës së Iliridës, e cila do të integrohej në BE dhe NATO.

Sulejman Osmani akuzohet për terrorizëm sikurse grupi prej 29 të akuzuarve kryesisht kosovar por ai ishte në arrati në Kosovë. Derisa e kapi policia, procesi gjyqësor i grupit me numrin më të madh të të akuzuarve tashmë kishte hyrë në shqyrtim kryesor kështu që për Osmanin filloi gjykim i veçantë me trupin e njëjtë gjykues. Nesër prokuroria do ti thotë fjalët përfundimtare për rastin “Lagja e Trimave” në bazë të provave dhe fjalimeve të të akuzuarve në gjykatë.