Report TV - Bllokohet pjesërisht sheshi '‘Skëndërbej”, kthehet në pedonale
  • 8 years ago
Bashkia e Tiranës njofton se nga dita e sotme ka nisur faza e parë e punimeve për zbatimit e projektit të ?Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej?.

Në këtë fazë përfshihen punimet për kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujrave të shiut, si dhe atë të shatërvaneve, dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjitha trevat shqiptare. Punimet e kësaj faze do të zgjasin 12 muaj.

Punimet fillojnë nga zona e Muzeut Kombëtar ku do të bëhet rikonstruksioni total i xhokolit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe do të punohet në lulishtet përreth Muzeut, të cilat do të shndërrohen në kopësht botanik.

Gjithashtu, do të punohet edhe për realizimin e sistemit të ndriçimit të jashtëm të Muzeut Kombëtar dhe kopshteve përreth tij. Puna do të vijojë me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operas dhe Bibliotekës Kombëtare.

Kjo fazë do të ndiqet nga zbatimi i punimeve të projektit të parkimit nëntokësor, që do të fillojë në fund të muajit tetor, projekt i cili do të realizohet në një afat 7 mujor. Zbatimi i fazës së dytë do të realizohet në një afat 12 mujor dhe do të kompletojë projektin e Sheshit Skënderbej me punimet që do të kryen në kopshtet përreth tij.

Të gjitha këto zona punimesh janë të ndara në segmente të ndryshme kantieresh të vogla, për të bërë të mundur qarkullimin e qytetarëve.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës publikon edhe hartën e devijimit të trafikut i cili po ashtu do të kryhet në faza, deri në përfundimin total të punimeve në unazën e vogël.
Recommended