Report TV - Reforma, politikanët e gjyqtarët do kthejnë paratë e vjedhura
  • 8 years ago
Përpos humbjes së funksioneve dhe përgjegjësisë penale, gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët që do të dënohen për korrupsion, do të duhet të kthejnë në arkën e shtetit paratë e përfituara nga praktikat e ndryshme korruptive, ndërsa do të mjaftojë një dëshmitar i vetëm për t?i veshur me përgjegjësi penale. Drafti për ngritjen e institucioneve që do luftojnë krimin dhe korrupsionin elitar do të jetë vetëm hapi i parë në betejën për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, nën shembullin e Kroacisë dhe Rumanisë. Krahas shatë ligjeve prioritare për zbatimin e reformës, misionet e SHBA-BE në Tiranë, konkretisht OPDAT dhe EURALIUS, po asistojnë autoritetet shqiptare, për hartimin e një legjislacioni të plotë, në kuadër të luftës anti-korrupsion. Shqiptarja.com mëson se ekspertët SHBA-BE, në bashkëpunim me ata shqiptarë, po punojnë për hartimin e shtatë nismave ligjore, për identifikimin dhe goditjen e elementëve të korruptuar në gjyqësor dhe politikë. Drafti më i rëndësishëm që po përgatitet është ai për parashikimit të përgjegjësisë civile të zyrtarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Përgjegjësia civile është një kategori juridike ku çdokush që me dashje apo me faj që shkakton një dëm të padrejtë një individi apo shtetit, është i detyruar ta dëmshpërblejë financiarisht këtë të fundit. Me fjalë të tjera, njerëzit e drejtësisë, politikanët dhe drejtorët, të dënuar për korrupsion, përpos vuajtjes së dënimit, do të duhet të kthejnë paratë e përvetësuar padrejtësish.
Recommended