Report TV - Klosi: Më shumë akses për romët e egjiptianët në shërbimet publike
  • 8 years ago
Më shumë akses në shërbimet publike për komunitetet Rome dhe Egjiptiane gjatë 5 viteve të ardhshme. Këtë parashikon plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve për vitet 2016-2020, që u prezantua paraditen e sotme në ambientet e Qendrës Rinorë në Tiranë.

Sipas planit, kjo pritet të realizohet nëpërmjet eleminimit të barrierave për arsimim gjithëpërfshirës, shëndet më të mirë, rritje të mirëqenies nëpërmjet punësimit formal, përmirësimit të situatës së strehimit dhe kujdesit social dhe si rrjedhojë integrimit të plotë të komuniteteve Romë dhe Egjiptiane.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se ky plan i përket komunitetit, pasi do të vihet në jetë pranë tyre dhe do të realizohet me përfshirjen e tyre maksimale. Sipas Klosit, në planin e hartuar nga MMSR, sigurohet ajo që komuniteti ka më shumë nevojë dhe një nga këto është regjistrimi i tyre.
Ai shtoi se në plan është trajtuar edhe zgjidhja e problemit të papunësisë, nxitja e arsimimit dhe kryesisht atij profesional.

Në takim, merrnin pjesë Yngve Engstrëm, Shef i Operacioneve, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, Brian J. Williams, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, përfaqësues të OJF-ve përkatëse të fushës si "Instituti i Kultures Rome" dhe "Sfinksi".
Recommended