Mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, ulet norma e interesit - News, Lajme - Vizion Plus
  • 8 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në mbledhjen e parë për këtë vit, të cilës i janë shtuar edhe tre anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës, Genti Sjeko, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, Banka e Shqipërisë vendosi të bëjë një tjetër ulje të normës bazë të interesit për lekun duke e çuar atë në minimumin historik prej 2%. Situata në tregjet europiane, inflacioni i ulët dhe rënia e konsumit kanë detyruar bordin drejtues të vazhdojë të ndjekë një politikë lehtësuese monetare. Në deklaratën e përbashkët Këshilli i Bankës nënvizon:Ndonëse në rritje, kërkesa agregate është ende e pamjaftueshme për të siguruar shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe për të gjeneruar rritje të qëndrueshme të punësimit, të pagave, të marzheve të fitimit dhe të çmimeve finale në ekonomi. Edhe faktorët e ofertës - si çmimet e lëndëve të para e të mallrave të importit dhe ecuria e pritjeve inflacioniste - vazhdojnë të prodhojnë presione të ulëta për rritjen e çmimeve të konsumit. Në veçanti, rënia e inflacionit të importuar në tremujorin e katërt ka sjellë një ecuri të kundërt të trajektoreve të rritjes ekonomike dhe të inflacionit në këtë periudhë.Duke diskutuar më tej për problemet e brendshme të administrimit bordi ka miratuar disa rregullore të cilat detyrojnë departamentin e kontrollit të raportojë më shpesh përpara tij. Këto rregulla u vendosën sot, disa vite pasi vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar i?a ka rekomanduar Bankës Qendrore. Një theks i veçantë i është vënë dhe raportimeve periodike të Departamentit të Kontrollit si dhe përmirësimit të bazës rregullatorë mbi të cilën ushtron aktivitetin Banka e Shqipërisë si dhe sistemi bankar. Banka e Shqipërisë shprehet se situata në tregjet e eurozonës dhe tkurrja e dhënies së kredisë nga bankat që janë degë e vendeve me monedhën euro mund të vështirësojë më tej dhënien e kredive, për këtë arsye ajo do të vijojë të ndjekë politikën pro uljes së interesit të lekut për të lehtësuar dhënien e kredisë nga bankat, dhe automatikisht ulet edhe interesi për biznesin dhe konsumatorët që kanë një hua. Lajmi i keq vjen për depozituesit të cilët do të kenë fitime më të ulëta nga depozitat në lek, por edhe nga ato në euro, kjo pasi edhe Banka Qëndore Europiane ka ulur nën 0 interesin e depozitave.