Abuzimet e "Bankers Petroleum" me naftën - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Konfirmohet me shifra skema e abuzimit të kompanive të mëdha, të cilat fusnin në vend naftë të cilësisë së dobët pa akcizë, me argumentin se do ta përdornin si lëndë holluese dhe në të vërtetë e kanë hedhur atë në treg, duke na detyruar ne ta blejmë për automjetet tona. Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me Albpetrol-in kanë vërtetuar abuzimet nga kompania, e cila bën kërkime në fushën e naftës në vend. "Bankers Petroleum" ka shitur në mënyrë ilegale mijëra litra naftë të cilësisë së dobët në pikat e karburanteve në Shqipëri. Në fund të vitit 2013-të bordi i ri drejtues i Albpetrol-it i ka kërkuar shpjegime dhe një raport kompanisë mbi sasinë e lëndës holluese që përdoret për operacionet e saj në kërkimin e naftës. Në bazë të deklarimeve të bëra vetë nga "Bankers" rezulton se në muajin korrik 2013-të importi i lëndës holluese ka arritur maksimumin në 13. 594 m3, ose 15% e prodhimit gjithsej të naftës nga vendburimi i Patos-Marinzës. Një situatë kontradiktore kjo po të shohësh të dhënat e sasisë së holluesit të përdorur në dhjetor 2013-të, e cila nuk shkon më shumë se 8.5%, ndërkohë që është karakteristikë e stinës së dimrit rritja e sasisë së holluesit. Nga ky grafik shihen mospërputhje të mëdha ndërmjet sasive dhe përqindjeve të holluesit të raportuara nga kompania "Bankers" dhe atyre të llogaritura nga ekspertët e Albpetrol. Një fakt tjetër që vërteton këtë abuzim është deklarimi që kjo kompani ka bërë në periudha të ndryshme për përdorimin e kësaj lënde. Në dhjetor 2011- shkurt 2012 "Bankers" ka raportuar se ka përdorur 98 mijë metra kub hollues, ndërsa llogaritjet e stafit të Albpetrol-it argumentojnë se konsumi i holluesit ka qenë vetën 47 mijë metër kub, çka do të thotë 51 mijë metër kub hollues më shumë se deklarimet.  E kjo lende me termin hollues është pikërisht nafta që dyshohet të jetë hedhur në treg. Edhe pse Albpetrol-i dhe ministria e Energjisë i kanë kërkuar shpjegime kompanisë për këtë situatë deri më sot nga "Bankers" nuk ka ofruar një shpjegim të besueshëm. Kjo konfirmohet për Vizion Plus edhe nga zyrtarë të lartë të kësaj ministrie. Pak dite më parë dhe vete ministri Gjiknuri foli për të njëjtin fenomen. Holluesi është një lëndë, e cila në përbërjen e saj kryesore ka naftën, por për shkak të cilësisë tepër të ulet nuk lejohet të përdoret në treg. Këtë lëndë "Bankers" e kalon në doganë pa paguar akcizë, pasi e deklaron si naftë që i duhet për nevoja operacionale.